Samiti i liderëve të procesit të Berlinit 2023 për herë të parë në Tiranë
Tirana mikpret një tjetër event të madh ndërkombëtar, Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit 2023, i cili zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së, me pjesëmarrjen e 6 kryeministrave të rajonit, si dhe përfaqësuesve të nivelit të lartë dhe organizmave ndërkombëtare të mbi 25 vendeve, mes të cilëve Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel, si edhe një sërë kryeministrash të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Seanca “Integrimi i Rajonit në Tregun Unik dhe përmirësimi i Konvergjencës me BE-në” do të çelë punimet e Samitit, i cili do të vijojë me seancën e dytë plenare “Mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe dixhital në Ballkanin Perëndimor: Sfidat dhe mundësitë për investime dhe zhvillim.” ku liderë dhe kryetarë delegacionesh do t’i adresohen të dy seancave.
Inaugurimi i Kolegjit të Europës, i cili hap dyert për një arsimim të nivelit botëror për studentët shqiptarë, është një tjetër ngjarje e rëndësishme në këtë ditë. Kampusi i Tiranës është i treti i Kolegjit të Evropës dhe i pari që do të jetë jashtë Bashkimit Evropian.
Gjatë kësaj dite do të nënshkruhet edhe “Marrëveshja Rajonale për Njohjen Reciproke të Kualifikimit Profesional”.